Tirana po pret këto ditë artistë dhe trupa teatrore nga shtatë vende, në kuadër të International Puppet Festival Tirana, që zhvillohet nga 21 deri më 24 shtator.
Për katër ditë, Teatri i Kukullave sjell në kryeqytetin shqiptar forma të ndryshme të këtij arti, nga tradita klasike e kukullave deri te produksionet bashkëkohore. Në festival marrin pjesë artistë nga Shqipëria, Spanja, Kina, Greqia, Irlanda, Turqia dhe Italia.
Festivali u hap më 21 shtator me produksionin shqiptar “Albanian Wedding”. Programi vazhdoi më 22 shtator me “Chinese Tradition” nga Sky Bird Puppet Group i Kinës dhe “Identity” nga Rocamora Theatre e Spanjës, ndërsa më 23 shtator në skenë u prezantuan “Fasoulis” nga Ayusaya Puppet Theatre e Greqisë dhe “Random Acts of Puppetry” nga Your Man’s Puppets e Irlandës.
Programi përmbyllet më 24 shtator, ndërsa një prej shfaqjeve të ditës së fundit është versioni italian i “Hirushes”, interpretuar nga Paolo Comentale dhe Anna Chiara Castellano Visaggi të trupës Granteatrino Casa di Pulcinella.
Produksioni mbështetet në muzikën e “La Cenerentola” të Gioachino Rossinit dhe në figurat e skenografit italian Emanuele Luzzati. Kukullat, skenografia dhe personazhet janë ndërtuar duke marrë frymëzim nga puna e tij. Shfaqja mbahet më 24 shtator në orën 18:30, në Teatrin e Kukullave në Tiranë. Për këtë shfaqje, hyrja është falas.
International Puppet Festival Tirana e vendos kështu kryeqytetin shqiptar për katër ditë në një hartë të përbashkët teatrore, ku në të njëjtën skenë takohen tradita të kukullave nga Evropa dhe Azia.

