Kështu është ndërtuar Wild Trails of Kosovo, një udhëtim i organizuar nga Epic Adventure Club për periudhën 27 shtator – 4 tetor 2026. Paketa kushton 899 funte për person dhe grupi është i kufizuar në 16 pjesëmarrës.
Rruga nis nga Prishtina drejt Pejës. Më pas fillon ecja.
Një ditë kalohet në Rusoli dhe luginën e Zhlebit, tjetra në ngjitjen e Hajlës, 2,403 metra. Pasojnë Liqenati, Milisheci dhe Roshkodoli. Etapa më e gjatë është ajo e Gjeravicës: 18.5 kilometra, rreth 860 metra ngjitje dhe deri në tetë orë ecje.
Fjetja bëhet pjesërisht në hotele dhe pjesërisht në bujtina familjare malore. Bagazhi kryesor transportohet veçmas gjatë ditëve të ecjes, ndërsa në program përfshihen edhe shumica e vakteve dhe guida lokale. Via Ferrata është aktivitet opsional dhe paguhet veçmas, rreth 40 euro.
Pas maleve vjen një Kosovë tjetër. Grupi ndalet në Gjakovë, viziton rajonin e verërave të Rahovecit dhe vazhdon në Prizren, ku itinerari përfundon me shëtitje pranë Lumbardhit dhe ngjitje në Kala.
Organizatori u sugjeron udhëtarëve të mbërrijnë një ose dy ditë më herët për të parë edhe Prishtinën. Fluturimet nuk përfshihen në çmimin e paketës.

