Më 23 shtator, Mitrovica do të jetë nikoqire e aktivitetit “Think Green, Act European”, një program që bashkon edukimin për mjedisin me një aksion praktik përgjatë shtegut që çon drejt Monumentit të Minatorëve.
Aktiviteti organizohet nga Europe House Kosovo dhe zhvillohet nga ora 13:00 deri në 19:00. Programi nis me një masterclass kushtuar biodiversitetit dhe Natura 2000, rrjetit evropian për mbrojtjen e zonave me rëndësi të veçantë natyrore.

Pas pjesës edukative, aktiviteti zhvendoset në terren. Pjesëmarrësit do të përfshihen në një aksion pastrimi përgjatë shtegut këmbësor që të çon drejt Monumentit të Minatorëve, një prej monumenteve më të njohura të Mitrovicës.
Përmes kombinimit të diskutimit mbi biodiversitetin me punën konkrete në terren, “Think Green, Act European” e vendos vëmendjen te kujdesi për hapësirat publike dhe mjedisin që rrethon qytetin.
Aktiviteti zhvillohet të mërkurën, më 23 shtator, ndërsa pjesëmarrja bëhet përmes regjistrimit paraprak.

