Aktivitetet nisën më 23 shtator me një punëtori për përdorimin e inteligjencës artificiale në promovimin turistik. Pjesëmarrësit punojnë me mjete për krijimin e teksteve, fotografive, videove dhe faqeve të internetit, ndërsa programi vazhdon më 24 shtator me punë në terren në Deçan, Suharekë dhe Gjakovë. Tri ekipe me nga dhjetë nxënës vizitojnë këto zona të shoqëruara nga guida dhe mentorë, duke realizuar fotografi, video dhe intervista.
Më 25 shtator, në Hotel Emerald në Prishtinë, mbahet konferenca qendrore kushtuar turizmit dhe inteligjencës artificiale. Në program janë dy panele për gjendjen dhe perspektivën e turizmit në Kosovë dhe rolin e digjitalizimit, si dhe prezantimi i projekteve të krijuara nga të rinjtë gjatë programit.
Më 26 shtator aktivitetet kalojnë në natyrë, me ecje dhe promovim të shtegut Lugina e Butë–Liqeni i Shoshanit, të shoqëruar nga elementi i gastronomisë vendore.
Programi përmbyllet më 27 shtator, në Ditën Botërore të Turizmit. Nga ora 10:00 deri në 18:00, hyrja në muze dhe monumente kulturore në Kosovë do të jetë falas. Po atë ditë organizohet edhe një ecje me alpinisten Uta Ibrahimi, nga Brodi drejt Liqenit të Shutmanit, në një itinerar rreth 10 kilometra të gjatë.

