Kori i Filharmonia e Kosovës performon sot, më 28 shtator në orën 17:00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.
Koncerti vjen vetëm pak ditë pas hapjes së sezonit 2026/27 të Filharmonisë me një premierë të rëndësishme për skenën vendore. Orkestra dhe Kori i Grave interpretuan për herë të parë në Kosovë ciklin simfonik “Planetet” të Gustav Holst, nën drejtimin e Gregory Charette.
Programi i sezonit vazhdon pas koncertit të sotëm edhe më 3 tetor në orën 19:30, kur Kori dhe Ansambli i Filharmonisë do të performojnë në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, këtë herë nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood.
Koncerti i sotëm ka një veçanti edhe përtej repertorit: nuk zhvillohet në një sallë tradicionale koncertesh, por në hollin e ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare, një objekt që është kthyer në një prej imazheve arkitekturore më të dallueshme të kryeqytetit.

