Kosova

Festivali ndërkombëtar i teatrit “La Rremë” nis më 23 tetor në Prishtinë

Prishtina po bëhet gati për një ngjarje të bukur kulturore.

Më 23 dhe 24 tetor 2026, qyteti ynë pret edicionin zero të festivalit ndërkombëtar të teatrit “La Rremë”, një nismë e re që vjen për të krijuar hapësirë për bashkëpunim mes krijuesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

Festivali mban emrin e Muharrem Qenës – i njohur si “La Rremë” – një prej figurave më të rëndësishme të teatrit kosovar, dhe organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Hapja zyrtare bëhet më 23 tetor, në orën 19:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Menjëherë pas saj, në orën 19:30, vjen shfaqja “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia” e regjisorit Mario Banushi, fitues i Luanit të Argjendtë për Teatër në Bienalen e Venecias 2026. Shfaqja zgjat rreth 70 minuta, është pa dialog dhe trajton kujtesën familjare e përjetimin e humbjes. Ajo do të jepet edhe më 24 tetor, në të njëjtën orë.

Programi i ditës së dytë përfshin masterklasën “Klasikët në skenën bashkëkohore” me regjisorin Dino Mustafić, nga ora 10:00 deri në 16:00 në Teatrin Kombëtar, si dhe një diskutim mbi teatrin bashkëkohor në Qendrën Barabar. Festivali mbyllet mbrëmjen e 24 tetorit, në orën 21:30, me koncertin e Ibadete Ramadanit dhe grupit të saj te Menza Ramiz Sadiku.

‍